Thashethemet për një transferim të bujshëm të Jamal Musialës te Galatasaraj kanë marrë fund pas reagimit zyrtar të klubit turk. Stambollasit kanë mohuar çdo marrëveshje me yllin gjerman dhe Bayernin e Mynihut, duke i cilësuar raportimet si të pavërteta.
“Raportimet se Jamal Musiala dhe Bayerni kanë arritur një marrëveshje me klubin tonë nuk janë të vërteta. Ky njoftim bëhet vetëm për qëllime informuese”, thuhej në deklaratën e Galatasarajt, e cila u publikua edhe nga gazetari i njohur i merkatos, Fabricio Romano. Musiala vijon të jetë një nga lojtarët më të rëndësishëm të projektit të Bayernit.
Mesfushori ofensiv ka kontratë me klubin bavarez deri në vitin 2030 dhe drejtuesit gjermanë nuk kanë ndërmend të heqin dorë prej tij. 23-vjeçari po rikuperohet pas një ndërhyrjeje kirurgjikale të planifikuar, pas dëmtimit të rëndë që pësoi sezonin e kaluar. Bayerni ka bërë të ditur se procedura do ta ndihmojë lojtarin të nisë përgatitjet sipas një plani të qartë dhe të jetë gati për sezonin e ri.
Sipas raportimeve, Musiala pritet të rikthehet gradualisht në stërvitje në fund të muajit korrik, ndërsa nuk do të udhëtojë me skuadrën në turneun veror në Azi. E ardhmja e tij, megjithatë, mbetet e lidhur me “Allianz Arenën”.

