Peruja arriti që të kualifikohet për në Kupën e Botës Rusi-2018, mbas dy ndeshjeve play off me Zelandën e Re. Por, ndërkohë që tifozët peruanë kanë ditë që po festojnë këtë ngjarje të madhe sportive, Federata e Futbollit të Zelandës së Re zbuloi detaje interesante lidhur me sjelljen e mikpritësve në ndeshjen revansh (2-0), të zhvilluar në Lima. Presioni i mikpritësve nisi me faktin se avioni me ekipin përfaqësues neozelandez u detyrua që të sillej vërdallë në ajër tri orë mbi aeroport, para se atij t’i jepej leja për t’u ulur, ndërkohë që tidozët peruanë nuk lanë fishekzjarre pa hedhur para hotelit, ku ishte vendosur ekipi vizitor.
Por, kulmi arriti, kur tre aeroplanë gjuajtës ushtarakë peruanë fluturuan aq ulët mbi hotelin, ku ishte vendosur ekipi neozelandez, sa i frikësoi jo vetëm këtë ekip, por edhe banorët vendas që edhe ata e kuptuan se bëhej fjalë për një lloj presioni mbi ekipin mik. “Vamos Peru” (Përpara Peru) shkruhej në pjesën e poshtme të avionëve ushtarakë që shkaktuan një zhurmë kolosale, saqë ambasada e Zelandës së Re në Lima kërkoi shpjegime nga autoritetet përkatëse peruane. “Ne i prisnim provokacionet me përdorimin e mjeteve piroteknike, por përdorimi i avionëve ushtarakë ishte kulmi. Nuk e dimë se kush do të mund të garantonte sigurinë e ekipit tonë”, thuhej në njoftimin e federatës neozelandeze.