Raxha Naingolan është një nga lojtarët më të mirë sot për sot në Serinë A. Kjo, pavarësisht se ai ka një ves që një futbollist nuk duhet ta ketë, pasi belgu tymos duhan. Mesfushori sulmues e pranon vetë diçka të tillë, madje thotë se nuk ndihet aspak i turpëruar. “Unë nuk mund të ndihem i turpëruar që pi duhan, – tha ai, – unë nuk e kam fshehur kurrë këtë gjë. Unë e di se duhet të jem një shembull i mirë, unë kam edhe vetë fëmijë, por nuk mund të jem i përsosur, thjesht nuk gënjej”.
Prej disa kohësh, Naingolan ishte lënë jashtë kombëtares së Belgjikës, dhe pëshpëritjet ishin se kjo vinte për shkak të duhanit. Gjithsesi, këtë herë ai u thirr nga trajneri Roberto Martinez, për ndeshjen eleminatore të Botërorit ndaj Greqisë dhe për miqësoren kundër Rusisë. “Trajneri duhet të ketë pasur arsyet e tij, por unë jam një tip që flas hapur dhe drejtpërdrejt, – vazhdoi lojtari i Romës, – unë ia kam thënë zhgënjimin tim”. Gjithsesi, tifozët e Romës nuk do të ndihen aspak të zhgënjyer duke dëgjuar se çfarë thotë lojtari i tyre.
“Unë jam shumë mirë në Romë, – thotë ai, – nuk kam ndërmend të shkoj tek Çelsi, në Angli duhet ta nis çdo gjë nga e para. Nuk do të shkoj as në Kinë, ndonëse nuk dihet se çfarë mund të ndodhë shumë kohë më vonë”.
Sfidanti.al