Një fjali me shaka e trajnerit të Romës bëri shpejt xhiron e Italisë dhe të botës, dhe nëpër media e rrjetet sociale nisën komentet nëse portugezi është njeri me “lakra në kokë”. Zhoze Murinjo e mbajti premtimin dhe i bleu një palë këpucë të shtrenjta lojtarit të tij, Feliks Afena-Gian, pasi ai shënoi dy gola në ndeshje ndaj Xhenoas në “Luixhi Ferraris”. Ndërsa e prezantoi me këpucët që kushtonin 800 euro, Murinjo tha se “aty brenda ka banane”, dhe pikërisht këto fjalë ngritën dyshimet, sepse racistët i përdorin për të treguar se zezakët janë majmunë që hanë banane. Gjithsesi, vetë 17-vjeçari deklaroi se “unë ha shumë banane, ndaj edhe trajneri i tha ato fjalë”. Me gjasë duhet të ketë të drejtë sepse Murinjo mund të cilësohet “I veçantë”, shpesh problematik, por racist nuk është akuzuar kurrë në karrierë.
Sfidanti.al