Tetë humbje në 14 ndeshjet e fundit është një rezultat që do të turpëronte edhe një ekip për mbijetesë, jo më kampionen në fuqi të Anglisë, por ja që kjo gjë ndodhi dhe Liverpuli duhet të bëjë kthesë. Sulmuesi kryesor i ekipit, Mohamed Salah, beson se kjo gjë do të ndodhë, dhe e merr optimizmin nga dy fitoret e fundit, një në Champions dhe një në Premier Ligë. “Me dy fitoret ndaj Lajpcigut dhe Uolvesit mendoj se e kemi lënë prapa të keqen, – tha ai, i grumbulluar në kombëtare, – ishte një periudhë shumë e vështirë, por mendoj se do të përmirësohemi në Premier, ndërsa në Champions kemi qenë më mirë. Shpresojmë të fitojmë ndeshjet e tjera, por duhet të jemi në 100 për qind”. Vetë Salah nuk ka qenë edhe aq keq pasi ka 25 gola këtë sezon, dhe 17 në Premier Ligë, baraz me Harri Kejnin si shënuesit më të mirë të kampionatit.
Sfidanti.al