Me të përpjeta e tatëpjeta.. Shurle , tani hua te Spartaku i Moskës

Borusia e Dortmundit e dërgoi edhe një herë tjetër hua Andrea Shurlen që në sezonin e ri do të mbajë veshur bluzën e një prej ekipeve më të njohur rus. Kështu, tani, Spartaku mumd të mburret se do të ketë në përbërje të tij një futbollist që ka dalë kampion bote me Gjermaninë (2014) dhe që asistoi golin e Gëces që i dha fitoren manshaftit në finalen e Botërorit të atij viti në Brazil.

Ky futbollist gjerman ka një karrierë të mbushur me të përpjeta dhe tatëpjeta; fillimisht ai luajtur shkëlqyeshëm disa ndeshje me bluzën e Bajerit të Leverkusenit, duke tërhequr vëmendjen e Çelsit dhe duke realizuar kështu një transferim të shtrenjtë në Londër. Por, në “Stemford Brixh” ai i zhgënjeu klubin e tifozët dhe kështu u kthye në Gjermani, ku u bashkua me Volfsburgun.

Me klubin e “ujqërve” ai shkëlqeu përsëri, kështu që ai u transferua për te Borusia e Dortmundit që pagoi për të shumën rekord prej 30 milionë eurosh. Por, ai përsëri zhgenjeu dhe si fund, sezonin e kaluar, ai u dërgua hua te Fullhemi që ra nga Premier Liga.

Tani, duhet të pritet që të shihet sesi do të shkojë aventura e tij në Moskë.

Sfidanti.al