Kuqezinjtë kanë nevojë për një lojtar, i cili mund të alternohet me tre titullarët e mbrojtjes. Koreano-jugori i Bayern dhe braziliani i Rayo janë kandidatë potencialë.
Manovrat e Milanit në merkato janë të fokusuara kryesisht te sulmi, por Tare ka në plan të sjellë edhe një mbrojtës tjetër për trajnerin Allegri. Në ndeshjen e fundit, me De Winter në vend të Gabbia, i vetmi mbrojtës qendre ishte i riu Odogu, që duke përfituar nga rezultati 3-0, debutoi në Serie A.
Igli Tare po kërkon profilin ideal, edhe pse e di se pa shitje manovrat në merkaton e dimrit janë të reduktuara. Ai ka në mendje ndonjë huazim dhe mundësisht një lojtar që e njeh Italinë. Në verë u lakua emri i Kim, koreanit të Bayern, që e ka fituar titullin në Itali me Napolin. Tani rishfaqet kjo pistë, duke përfituar nga fakti që Kim nuk ka luajtur shumë dhe termat ekonomikë mund të jenë ndryshe.
Bavarezët mund të bëjnë ulje, ndërsa Milani duhet të përballojë pagën e mbrojtësit që kërkon të rilançohet në futbollin ndërkombëtar.
Në listë ka edhe emra të tjerë, si Axel Disasi i Chelsea, por ai nuk e njeh Serie A dhe do të ishte rrezik afrimi i tij në mes të sezonit. Nuk bind për momentin në raportin kualitet/çmim gjermani Niklas Süle, në fund të kontratës me Borussia Dortmund.Një fiksim i vjetër i Tares është Luiz Felipe, që ai e mori te Lazio në 2017-ën. Tani mbrojtësi brazilian luan për Rayo Vallecano dhe vjen pas një dëmtimi. Në këtë rast avantazhi është se ka kosto të ulët dhe ka luajtur disa vite në Itali në mbrojtjen me tre. Drejtori sportiv i Milanit vazhdon “gjuetinë”, ndërsa rikuperimi i Gabbia mund të heqë nxitimin në zgjedhjen e tij për mbrojtjen.
sfidanti.al

