Lista surreale e France Football që po shkakton polemika në internet

Në mungesë të dhënies së Topit të Artë për vitin 2020, Francë Football ka nisur procesin e votimeve për përcaktimin e formacionit më të mirë të të gjitha kohërave. Prej ditësh, revista franceze ka publikuar listën e më të mirëve të cdo pozicioni në fushën e lojës në historinë e futbollit ku përzgjedhjet do t’i bëjnë 170 gazetarë në të gjithë botën.

Duke nisur që nga 5 tetori janë publikuar 10 kandidaturat për portierin, për mbrojtësin e djathtë, për qëndërmbrojtësin dhe për mbrojtësin e majtë. Dhe polemikat nuk kanë munguar. Përkundrazi ato janë shfaqur pikërisht që në momentin e listave të para ku ra në sy mungesa e Dani Alves si një prej mbrojtësve të djathtë më të mirë në botë. Por polemikat më të forta shpërtthyen kur Francë Football publikoi kandidaturat e 40 mesfushorëve më të mirë të të gjitha kohërave. Revista bën dallimin mes profileve mbrojtës dhe atyre sulmues dhe janë të shumtë ata që e konsideruan këtë përzgjedhje si surreal.

Në listë përfshihen emra të tillë si Neeskens, Guardiola, Falcao, Matthäus, Gerrard apo edhe Busquets, për të cilët sigurisht nuk ka kundërshtime, por për të tjerë po. France Football katalogon si mesfushorë mbrojtës Xavin apo Pirlon për faktin se kanë luajtur në qendër të mesfushës. Përfshirja e tyre në këtë kategori shkaktoi debate, por përfshirja edhe e Luis Suarez Miramontes aty u konsiderua akoma më surreal. Në 19 tetor, France Football do të plotësojë ‘Dream Team’ me publikimin e 20 sulmuesve më të mirë të krahut të majtë e të djathtë dhe 10 qendërsulmuesit më të mirë të historisë.

Sfidanti.al