Real, Barça apo PSG, ku do të jetë Nejmari në 2019?!

Padyshim është nga ata lojtarë që nuk do të jenë kurrë idhuj të tifozëve. Që nga Santosi, Barcelona e tani Paris SG, Nejmar ka qenë gjithnjë si “macja e shtëpisë”, gati për t’u larguar sapo të mos i pëlqejë ambienti. Lajmi më i fundit për të, krejtësisht qesharak (dhe, jo edhe aq i pabesueshëm) është se braziliani ka dëshirë të kthehet tek Barcelona.

Mediat katalanase njoftojnë se sulmuesi 25-vjeçar ka bërë sondazhe tek lojtarë e drejtues katalanas për të kuptuar nëse mundet të bëjë “prapakthehu”, madje kjo ka ndodhur përpara sesa të dëmtohej. Nuk mund të harrohet edhe fakti se Reali e pëlqen dhe se presidenti madrilen, Perez, synon ta marrë në 2019. Pikërisht viti 2019, është koha kur Nejmar, sipas “El Mundo Deportivos” mendon të kthehet në “Kamp Nou”.

PSG, ndërkaq, nuk është aspak i lumtur me Nejmarin dhe babanë e tij, por Al Helaifi është biznesmen dhe nuk mund të tronditet lehtë. Ai ka kërkuar 400 milionë euro për ta lënë të lirë superyllin që e bleu për 222 milionë. Pra, ku do të jetë Nejmari në verën e 2019-ës? Në Barcelonë, Madrid apo ende në Paris? Së pari të shohim, nëse do të arrijë të jetë në Botërorin e Rusisë me Brazilin, pasi dëmtimi mund ta pengojë.

Sfidanti.al