Lioni i është qepur Makronit “me bukë në trastë”: Rifillo futbollin!

Presidenti Zhan-Mishel Olas mori zemër pas fjalëve të kryeministrit spanjoll, Pedro Sançez. La Liga e Spanjës pritet të rinisë në 8 qershor, pak javë pas Bundesligës, dhe presidenti i Lionit nxit presidentin e Francës, Emanuel Makron, që të mendohet edhe një herë për vendimin e tij. Qeveria franceze e anuloi vazhdimin e sezonit, pra edhe për Ligën e Parë, por Olasi mendon se e kundërta mund të bëhet.

“Ne e nxisim presidentin Makron që ta rikonsiderojë vendimin e qeverisë, – shkruhej në deklaratën e Lionit, – vendimi i marrë me nxitim në 30 prill, tani mund të ndryshohet në sy të popullit francez, nëse konsiderojmë se nuk ka asgjë të pandryshueshme. Duhen parë interesat e futbollit francez dhe të francezëve. Le të ndjekim shembullin e Gjermanisë dhe të Spanjës”.

Sfidanti.al