Janë që të dy sulmues, ndonëse njëri e ka mbyllur karrierën. Kanë vuajtur që të dy të njëjtat probleme, kryesisht lojën e ashpër të mbrojtësve ndaj lojtarëve tepër të talentuar. “Fenomeni” Ronaldo dhe Nejmar gjetën mundësinë për të biseduar së bashku në një kanal Jutubi (You Tube), dhe aty gjetën edhe gjuhën e përbashkët. Një nga temat e bisedës ishin akuzat e bëra shpesh ndaj Nejmarit se rrëzohet fare lehtë, duke fituar goditje dënimi shpesh të paqena. Gjithsesi, “Fenomeni” i doli në krah patriotit të tij brazilian.
“Kam folur edhe me babanë tënd, por edhe ty, edhe më parë, – u shpreh Ronaldo, – ai më tha se ti e ke pasur të vështirë që në moshë të vogël, pasi ishte më i dobët dhe më pak i fuqishëm sesa të tjerët, ndaj duhet të mbroheshe nga ndërhyrjet e ashpra, duke u rrëzuar lehtë. Ky nuk quhet simulim, por ti ke mbrojtur veten, dhe ke bërë gjënë e duhur. Nëse do të kishe bërë ndryshe, tani rrezik nuk do të ishe duke luajtur futboll. Të tjerët le të thonë çfarë të duan”.
Sfidanti.al