Sa i frikshëm ky Real, fiton lehtë edhe kur nuk luan mirë, pra synon titullin!

Fitore e thjeshtë, por pikërisht ajo që duhej. Reali mposhti Espanjolin në “Santiago Bernabeu” në stilin aq familjar të një skuadre të mësuar me suksesin. Nuk mund të thuhet se madrilenët luajtën mirë, që dhanë ndonjë spektakël për të kënaqur mbi 64 000 spektatorët në stadium, por përfundimi u duk i pashmangshëm, krejt i natyrshëm.

Përballë një kundërshtari luftarak, por tepër larg në cilësi, 33 herë kampionët e Spanjës shfrytëzuan përvojën e tyre historike. Për më tepër, trajneri Zidan ka krijuar një skuadër të mbledhur, e të bashkuar, që ka tani shumë më tepër siguri në mbrojtje, dhe që godet me futbollistët e saj tepër të talentuar. Mungesa e Eden Hazarit u ndje, por në fushë ishin yje si Karim Benzema, autor i golit të dytë dhe asistues në rrjetën e parë.

Sulmuesi francez është në krye të shënuesve, me 11 rrjeta, pretendent numër 1 për Këpucën e Artë, gjithnjë nëse do ta lejojë Lionel Mesi. Rafael Varan shënoi golin e avantazhit në pjesë e parë, ndërsa braziliani Vinisius pati shansin që të tregojë veten. Për analistët, ai ishte lojtari më i mirë i ndeshjes, duke fituar një duel me patriotin e tij, brazilianin tjetër Rodrigo.

Kartoni i kuq i Ferlan Mendisë, në minutat e fundit, nuk ia prishi shijen fitores, por thjesht tregoi se në La Liga nuk është edhe aq e lehtë të triumfosh. Reali ka 34 pikë në 15 javë kampionat, me një golaverazh shumë të mirë, dhe shpreson ta fitojë një tjetër titull me Zidanin, pas atij të vitit 2017.

Sfidanti.al