Rikelme ka bërë zbulim: “Paulinjo është Lampardi i zi”!

Tifozët e Barcelonës nuk kishin ndonjë arsye të madhe që të ishin të kënaqur gjatë sezonit veror të kaluar të transferimeve, duke pasur parasysh se klubi i tyre i zemrës humbi një nga lojtarët më të mirë, Nejmarin, të cilin ia shiti PSZH-së për 222 milionë euro, ndërkohë që nga Kina e largët solli “veteranin” Paulinjo për 40 milionë euro. Në fakt, në adresë të  Paulinjos u bënë shumë kritika, por ato më të mëdhat u bënë në adresë të kryesisë së klubit katalonjas që dha një “pasuri të tërë” për një lojtar 29-vjeçar, një lëvizje, të cilët tifozët e Barcelonës, në përgjithësi, nuk e kuptuan.

Por, megjithatë, ashtu sikurse po qëndrojnë punët tani, situata ka ndryshuar, duket se sjellja e Paulinjos po del si një transferim i mirë, pasi, në dy ndeshjet e fundit kundër Betisit dhe Getafes, ai ka shënuar dy gola, një asistencë dhe, gradualisht, ka filluar që të tërheqë simpatinë e tifozëve në “Kamp Nou”. Mbas kësaj performance të mirë të Paulinjos, aktualizohet deklarata e legjendës argjentinase të futbollit, Huan Roman Rikelme, që, para katër vitesh, vuri në dukje se i vetmi ndryshim mes Paulinjos dhe legjendës angleze të futbollit, Frank Lampard, është ngjyra e lëkurës! “Paulinjo luan njëlloj si Lampardi, i vetmi ndryshim është se ai është i zi. Ai mund të shënojë gola më kokë, mund të shënojë, edhe kur luan keq!”, deklaroi, atëkohë, Rikelme.

Sfidanti.al