Reali mahnitet nga Shabi Alonso, si Guardiola e Zidani!

Në sezonin e parë në stol kaloi çdo parashikim. Shabi Alonso u shpall kampion i Spanjës me ekipin U14 (Infantil A) të Realit të Madridit, madje shumë kohë para fundit. Ish-lojtari madrilen, që luajti në karrierë edhe për Sociedadin, Liverpulin e Bajernin, arriti 22 fitore e 1 barazim, duke mos pësuar asnjë humbje, pra duke lënë përshtypje të shkëlqyera.

Drejtuesit e Realit po mendojnë që sezonin tjetër t’i japin Shabi Alonsos një ekip me moshë më të madhe, si një vlerësim për punën e bërë. Ata kanë mësuar se lojtarët dhe prindërit janë ndjerë shumë të lumtur me mënyrën e punës së trajnerit, me komunikimin e tij, dhe po ashtu Shabi krijoi një dyshe të përsosur me ndihmësin e tij, Sebastian Parijën, një trajner i klubit. Tek Reali shpresojnë që ish-lojtari me numrin 14 të ketë një karrierë të ngjashme me emra të mëdhenj të trajningut si Pep Guardiola, Luis Enrike e Zinedin Zidan.

Sfidanti.al