“Po nuk qau fëmija …”, VAR-i “kthen pllakën”, dy penallti Realit!

Britma më e fortë kundër VAR-it këto kohë vinte nga “Santiago Bernabeu”. “Të shenjtët” e Madridit papritur u ndjenë si të sulmuar nga djalli, dhe VAR-i mori pamjen e “AntiKrishtit”. Duket se ankesat me zë, e nën zë, të Florentino Perezit paskan shkuar në “vesh të Perëndisë”, pasi teknologjia u duk shumë më miqësore ndaj Realit në sfidën në fushën e Levantes.

Dy penallti në një ndeshje ishte dhurata bujare e VAR-it për skuadrën e trajnerit Santiago Solari, me vendimin e dytë që vetë gazetat spanjolle e quajtën gabim dhe “piscinazo”. Mbrojtësi i Levantes, Dukure nuk shkaktoi faull në zonë ndaj Vinisiusit, që aktroi me talent, duke i vënë “brirë” jo vetëm arbitrit, por edhe VAR-it? A mund të ndodhin këto në epokën e teknologjisë që të vështron që nga sateliti? Më mirë të themi se ishte diçka e mbinatyrshme, apo që i përshtatet shprehjes “po nuk qau fëmija, nuk i jep nëna të pijë”!

Reali fitoi 2-1 në fushën e Levantes, me penalltitë e kthyera në gol nga Benzema dhe Bejl, ndërsa për vendasit barazoi përkohësisht Roger Marti. Naço i Realit u përjashtua me të kuq, ashtu si edhe Pedro Lopez i të zotëve të shtëpisë. Reali ka tani 48 pikë, duke qenë në vend të tretë, 9 pikë prapa Barcelonës.

Sfidanti.al