Kishte 2-3 ditë që gjithë bota shqetësohej për fatin e tij, pra nëse ai ishte apo jo i dëmtuar. Lionel Mesi ua kishte ngrirë gjakun tifozëve, të cilët druheshin se superylli i Barcelonës nuk do të ishte gati për vrapimin final të La Ligës, por kapiteni gjeti mënyrën e tij për t’u përgjigjur. Pas dy ditësh stërvitjeje individuale, argjentinasi magjik doli të vraponte në fushën e “Kamp Nout”, duke shkelur në stadiumin e tij, në shtëpinë e tij, pas 91 ditësh. Kaq gjatë e mbajti larg terrenit të lojës, pandemia e koronavirusit. Barcelona zhvilloi një ndeshje miqësore “mes vedi”. “Sa e çuditshme duket, – shkruajti ai në “Instagram”, – çfarë kënaqësie të kthehesh e të luash këtu”. Ndeshja e radhës në La Liga do të luhet të martën e 16 qershorit në orën 22:00 pikërisht në “Kamp Nou”, dhe katalanasit do të kenë përballë Leganjesin. Më parë, Mesi me shokë do të jenë në fushën e Majorkës në 13 qershor.
Sfidanti.al