Është aq pak i njohur saqë “Uikipedia” (Ëikipedia) nuk e ka një artikull për të, diçka jo shumë e zakonshme për futbollistët profesionistë, sidomos për ata që luajnë me klubet më të rëndësishëm. Alehandro Balde është lindur e rritur në Barcelonë, dhe në moshën 17-vjeçare trajneri Ronald Kuman e ka thirrur në ekipin e parë. Gazeta “AS” e Madridit shkruan se shpejt ai mund të jetë zëvendësuesi i Zhunior Firpos në krah të mbrojtjes, ndërsa për momentin shumëkush habitet me ecurinë e tij. Një “produkt” i Akademisë së famshme “La Masia”, ndonëse përpara vitit 2011 luajti për akademinë e Espanjolit. Prindërit e tij nuk janë spanjollë, me babain nga Guinea-Bisau dhe mamanë nga Republika Domenikane. Balde mund të luajë një ndeshje në ekipin e të rriturve pa provuar një të tillë tek Barcelona B. Ka edhe një arsye tjetër që Kuman e afron në skuadër. Katalanasit duan të ulin shpenzimet dhe një lojtar si Balde ka pak shpenzime, pasi ka një rrogë të papërfillshme. Kriza e koronavirusit, si çdo krizë, i hap rrugën atyre që nuk kanë pasur mundësi, dhe mbrojtësi 17-vjeçar mund ta kapë rastin e tij.
Sfidanti.al