Ksavi: Barça favorite për La Ligën, por jo për Championsin!

Një ditë me gjasë do të kthehet në shtëpi, atëherë si trajner, diçka që Ksavi Hernandez (apo Çavi, siç i thonë katalanasit) nuk e fsheh. Gjithsesi, për intervistuesin e legjendës, gazetarin e kanalit “Post Junajtid” (Post United) në Jutjub (Youtube) më shumë rëndësi kanë temat e tanishme, pra se çfarë do të bëjë Barcelona në La Liga, në Champions, dhe nëse do të vijë apo jo Nejmari sërish në “Kamp Nou”.

“Barcelonën e shoh favorite në La Liga, – janë fjalët e trajnerit të sotëm që punon në Katar, – në Champions është ndryshe. Barça e ka fituar Championsin vetëm kur ka qenë shumë superiore ndaj kundërshtarëve, në radhë të parë me lojë. Nuk mund të mbështetet tek fati historik që kanë pasur të tjerët, duhet të jetë më lart se të tjerët që të fitojë”. Ksavi nënkupton Realin me “fatin historik të të tjerëve”, pasi madrilenët e kanë fituar Championsin edhe pa qenë superiorë, por ndoshta fjalët më të sakta do të kishte qenë “tradita” dhe “përvoja”.

Ksavi është dakord që Nejmari të kthehet në “Kamp Nou”, i pëlqen Lautaro Martinezi, mendon se Reali është më mirë se vjet, ndërsa bën një përshëndetje nga larg për Iker Kasijasin, ish-rivalin e tij kapiten të Realit, që e quan si vëllanë e tij. Në Doha, koronavirusi nuk është aq i tmerrshëm sa në Spanjë, edhe pse futbolli gjithashtu është ndalur.

Sfidanti.al