Ish-presidenti i Realit, Kalderon zbulon taktikën e Perezit

Ish-njeriu nr.1 i Realit të Madridit Ramon Kalderon, në një prononcim para gazetarëve, zbuloi se çfarë fshihet mbas spekulimeve lidhur me megatransferimin eventual të Nejmarit në “Santiago Bernabe”. Reali, sikurse shihet, po luan dobët dhe, qysh pa mbërritur mirë mesi i sezonit, e ka humbur garën për titull të kampionit spanjoll, kështu që tani i duhet që të shtrëngojë radhët që të mos turpërohet në Kupën e Spanjës dhe Ligën e Kampioneve. Sidoqoftë, ka kohë që po flitet për një transferim eventual të yllit brazilian, Nejmar, nga PSZH-ja për te Reali i Madridit. Konsiderata e Kalderonit, për sa më sipër, është si vijon:

“Kjo është një strategji që Reali e vë në zbatim, gjithnjë, kur do që t’ua heqë vëmendjen tifozëve nga problemet aktuale dhe ‘t’u shesë’ atyre ëndrra të sezonit të ardhshëm. Kur publikohen lajme të tilla, klubi sheh reagimin e njerëzve, për shembull, do që të shohë se çfarë mendojnë njerëzit për ardhjen e mundshme të Nejmarit dhe largimin eventual të Ronaldos”, thotë ai.

Në përgjigje të pyetjes se, nëse ky është një truk për të hequr vëmendjen e njerëzve nga problemet aktuale të Realit, Kalderoni vuri në dukje: “Perezi nuk e bën këtë vetëm për të shuar kurreshtjen. Nëse Reali lejon që lajme të tilla të arrijnë deri te media, kjo do të thotë se ky klub beson se mund ta blejë lojtarin në fjalë. Mendoj se Reali ka informacione lidhur me klauzolën e blerjes së Nejmarit dhe se ai është në gjendje që ta paguajë atë, që Nejmari të vijë në ‘Santiago Bernabe’. Po ashtu, klubi, në këtë mënyrë, ushtron presion edhe mbi Ronaldon që ai të largohet! Mendoj se Perezi ka në mendje planin që ta shesë Ronaldon dhe me paratë që do të fitojë nga shitja e tij, të blejë një lojtar si Nejmari”, tha Kalderoni.

Sfidanti.al