Do firmosë apo jo Mesi me Barçën, David Vija është optimist!

Nuk ka asnjë dyshim se përfundimi do të jetë i lumtur. David Vija edhe pse është larg Barcelonës, e di se çfarë ndodh aty dhe as që e çon nëpër mend që Lionel Mesi mund të largohet prej saj. Ish-sulmuesi i Valencias, Barcelonës dhe Spanjës u pyet pikërisht për një nga çështjet më torturuese për tifozët e “Kamp Nout”, dhe ai e dha përgjigjen e tij. “Unë jam i bindur se është vetëm çështje kohe derisa Mesi të nënshkruajë kontratën, – u shpreh Vija, – ka një arsye kryesore që kjo do të ndodhë, dhe kjo arsye është se të dyja palët e dashurojnë njëra-tjetrën. Barcelona e dashuron Mesin dhe Mesi e dashuron Barcelonën, ndaj dhe do ta gjejnë gjuhën e përbashkët”. Kontrata e “Pleshtit” me klubin e vetëm profesionist të jetës së tij, përfundon në verën e vitit 2018, dhe bisedimet nuk kanë nisur ende, ndonëse presidenti Bartomeu ka besim se deri në mars do të arrihet një akord.