Kyle Walker ka rënë dakord me Milanin

Mbrojtësi i djathtë, i cili ka luajtur gjatë gjithë karrierës së tij në Angli, iu bashkua Manchester Cityt në vitin 2017, kur Tottenham mori 52.7 milionë euro për transferimin e tij. Tani Walker është shumë afër një eksperience në Itali. AC Milan tregoi interes për shërbimet e mbrojtësit me përvojë dhe negociatat mes dy palëve kanë nisur së fundmi. Gjatë ditës së shtunë, Walker dhe zyrtarët në San Siro, arritën një marrëveshje parimore për një kontratë të vlefshme deri në vitin 2027, kështu që tani mbetet vetëm që Milani të arrijë marrëveshje edhe me Manchester Cityn, shkruan gazetari Nicolo Schira. AC Milan pritet të paguajë një tarifë transferimi për Walker, duke qenë se ai është nën kontratë me Manchester Cityn deri në verën e vitit 2026. Edhe pse ai nuk është përmirësuar aq shumë në krahasim me sezonet e tjera, Walker ka bërë 18 ndeshje për Manchester Cityn në të gjitha garat, shumica prej tyre si titullar. Mbrojtësi ishte një pjesë e rëndësishme në skuadrën e “salduar” nga Pep Guardiola te Manchester City. Gjatë kohës së tij në Etihad ai fitoi gjashtë tituj ligë, dy Kupa FA, katër Kupa të Ligës dhe një trofe të Ligës së Kampionëve të UEFA-s.

sfidanti.al