Orët e fundit janë të tensionuara mbi të ardhmen e Khvicha Kvaratskhelia, i cili duket pranë largimit nga Napoli. Destinacioni i tij mund të jetë PSG (me Liverpool në Premier League gjithashtu në pritje), e tani debatet janë bërë temë dite edhe në Gjeorgji. Në vendin e tij, 23-vjeçari është i konsideruar si një figurë pothuajse hyjnore. Shumëkush mezi pret që Kvara të largohet nga Napoli, duke e cilësuar të papranueshëm trajtimin që ka marrë nga klubi, sidomos për sa i përket mungesës së rinovimit të kontratës. Paga e tij vjetore vazhdon të mbetet 1.5 milionë euro, një shumë e vendosur kur lojtari u bashkua me Napolin dy vite e gjysmë më parë nga Dinamo Batumi, duke nënshkruar një kontratë pesëvjeçare. Ish-ylli i Dinamo Tbilisi, Revaz Chelebadze, ka ngitur zërin. Kjo kontratë nuk është ndryshuar kurrë, as në kohëzgjatje dhe as në pagë, dhe vazhdon të jetë e vlefshme deri më 30 qershor 2027. Kjo, pavarësisht sezonit historik të tij, ku kontribuoi në fitimin e titullit të tretë kampion për Napolin dhe arriti statusin e një ylli të konfirmuar jo vetëm në Serie A, por edhe në futbollin evropian. Për Revaz Chelebadze, ish-ylli i Dinamo Tbilisi dhe përfaqësues i ish-Bashkimit Sovjetik, kjo situatë është e papranueshme. “Kvaratskhelia ka nevojë urgjente të largohet nga Napoli,” deklaron pa doreza 69-vjeçari. “Aty ka një mungesë të madhe respekti ndaj tij! Khvicha është lojtari më i mirë i kampionatit dhe ka pagën e 19-të ose 20-të më të ulët në skuadër. Kjo është thjesht një mungesë respekti ndaj tij. Në Napoli nuk e respektojnë dhe e trajtojnë si një skllav. Këto gjëra dëmtojnë vetëbesimin e një personi. Do të ishte e drejtë që Khvicha të transferohej në një klub të madh. Prej kohësh e di për interesimin e PSG-së,” vazhdon Chelebadze. “Luis Enrique e dëshiron Khvichan prej shumë kohësh. Por mendoj se opsioni më i mirë është që Khvicha të shkojë të luajë në Angli. PSG është një klub i shkëlqyer dhe madhështor, aty kanë luajtur Messi dhe Neymar. Por Premier League është një kampionat i nivelit më të lartë. Edhe Franca ka një kampionat të mirë, por unë dua që Khvicha të shkojë në më të mirin.”
sfidanti.al