Kush mund ta ndalë Greenwood-in?

Largimi nga Manchester United, në një farë mënyre, ka qenë një bekim për Mason Greenwood. Duket sikur ka kaluar një përjetësi që nga momenti kur sulmuesi anglez u përjashtua nga projekti i “Djajve të Kuq” për shkak të akuzave shumë të rënda për dhunë në familje, të shpërthyera në janar të vitit 2022, me imazhe dhe audio të publikuara në rrjetet sociale, pezullim nga klubi dhe largim të sponsorëve. Çështja shkaktoi jehonë të madhe në Britani dhe një qëndrim të prerë të tifozëve kundër mbajtjes së tij në skuadër. Edhe pse në shkurt 2023 akuzat penale u arkivuan nga drejtësia britanike, pas tërheqjes së dëshmitares kyçe dhe mungesës së provave të mjaftueshme, rruga e Greenwood-it mori një drejtim tjetër. Pas një huazimi të suksesshëm te Getafe, Manchester United gjeti zgjidhjen ideale me Olympique Marseille, duke e shitur për 26 milionë euro. Një marrëveshje ideale për të dyja palët: një vend i ri, Franca, një kampionat ndryshe nga Premier League dhe një trajner si Roberto De Zerbi, i cili gjithmonë ka pasur simpati për Greenwood-in. Pak kush do ta kishte parashikuar se ky do të ishte fillimi i një basti fitues në çdo aspekt.

Shpërthim i jashtëzakonshëm

Talenti i Mason Greenwood-it, i formuar herët në akademinë e Manchester United, ka qenë gjithmonë i dukshëm, por Marseja, duke e marrë me një kosto relativisht të ulët pas ngjarjeve jashtë fushës, ka bërë “jackpot”. Mjafton të shihen shifrat e këtij sezoni: numra mbresëlënës për futbollistin e lindur në vitin 2001. Mbrëmjen e djeshme, ai realizoi një ‘tripletë’ në fitoren dërrmuese 9–0 ndaj Bayeux, skuadër e kategorisë së gjashtë, në Kupën e Francës.

Dora e De Zerbi-t

Ish-lojtari i Manchester United e ka çuar kështu totalin sezonal në 19 gola, prej të cilëve 7 në 5 ndeshjet e fundit. Instinkti i tij realizues është rafinuar nga Roberto De Zerbi, i cili ka kërkuar vazhdimisht rritje dhe disiplinë. ‘Tripleta’ e fundit e dërgoi drejtpërdrejt Marsejën në fazën e 1/8-ave të turneut, me Greenwood-in që mbante edhe shiritin e kapitenit. Në moshën 24-vjeçare, një pikëçuditëse e madhe dhe një “minierë ari” për RDZ-në, që duket se ka gjetur kurën e duhur për çdo problem të Greenwood-it.

sfidanti.al