Ish-yjet spanjollë Andres Iniesta që ka luajtur me Barcelonën, dhe Fernando Tores me Atletikon e Madridit, u shpërngulën gjatë verës së kaluar në Japoni. Transferimi i Iniestës nga Barcelona te klubi Visel Kobe ishte një nga më të mëdhenjtë në ligën japoneze. Ai pranoi pagën prej 30 milionë dollarësh në vit dhe kështu theu rekordin japonez. Por, sidoqoftë, klubi i Iniestës nuk i ka mirë punët, pasi ai ndodhet diku në mes të tabelës së klasifikimit të kampionatit kryesor të Japonisë, ndërkohë që në gjashtë ndeshjet e fundit ai ka marrë vetëm një pikë! Iniesta vetë ka shënuar dy gola në nëntë ndeshje, por pa bërë ndonjë përshtypje të madhe, ashtu sikurse prisnin tifozët japonezë.
Nga ana tjetër, Sagan Tosu, klubi, me të cilin luan Fernando Toresi, gjithashtu nuk i ka mirë punët, pasi ai po përpiqet që të mbijetoi në kampionatin japonez. Ky klub ka arritur të fitojë vetëm në katër ndeshje, qëkur Toresi debutoi me të më 22 korrik, ndërkohë që vetë ky sulmues spanjoll ka shënuar vetëm një gol në 11 ndeshje.
Në Japoni luan edhe një ish-yll tjetër evropian ish-sulmuesi i Arsenalit Lukas Podolski që gjithashtu luan me Visel Koben që nga viti 2017, por ai më shumë nuk ka luajtur sesa ka luajtur, për shkak të dëmtimeve dhe formës së keqe. Podolski shënoi pesë gola në 15 ndeshje gjatë sezonit të tij të parë dhe vetëm tre në 19 ndeshjet e këtij sezoni.
Sfidanti.al