Kane, mes rekordit të Shearer dhe tundimit për t’u kthyer te Tottenham

Transferimi i Harry Kane nga Tottenham te Bayerni për rreth 100 milionë euro është kthyer në një investim të artë për bavarezët. Sulmuesi anglez, tashmë 32 vjeç, ka regjistruar shifra mbresëlënëse: 105 gola dhe 29 asistime në 109 ndeshje me fanellën e Bayern-it, duke u bërë një nga shtyllat kryesore të skuadrës.

Megjithatë, sipas mediave britanike dhe gjermane, Kane ende ruan brenda vetes një dëshirë të fortë: të rikthehet në Premier League, pikërisht te Tottenham Hotspur, klubi ku u formua dhe u bë një nga sulmuesit më të mirë të botës. Arsyeja? Anglezit i mungon vetëm një objektiv madhështor për të hyrë përfundimisht në historinë e futbollit anglez: thyerja e rekordit të Alan Shearer, që mban 260 gola si shënuesi më i mirë në historinë e Premier League-s.

Por sipas gazetës gjermane ‘Bild’, ekziston një pengesë e papritur që mund ta ndalë këtë rikthim të bujshëm: bashkëshortja e tij, Kate Kane. Ajo ndihet shumë rehat në Bavari, ku familja gëzon privatësi, qetësi dhe një mënyrë jetese më të balancuar, larg presionit mediatik të madh që shoqëron çdo ‘yll’ futbolli në Angli.

Për këtë arsye, Bayern shpreson se “kartoni familjar” mund ta bindë Kane të qëndrojë ende gjatë në Mynih, pavarësisht ëndrrës për ta mbyllur karrierën atje ku gjithçka nisi, në veri të Londrës.

sfidanti.al