Isaak, Liverpool tenton goditjen e madhe

Liverpooli ka mbetur i zhgënjyer nga transferimi më i shtrenjtë në historinë e klubit që është ai i Darwin Nunez nga Benfica për 85 milionë euro. Uruguaiani ka rezultuar një dështim te të kuqtë dhe në verë pritet largimi i tij. Ndërkohë, “Sky Switzerland” raporton ditën sotme një lajm vërtet të bujshëm, ku thuhet se Liverpooli po punon për transferimin më të shtrenjtë në historinë e klubit dhe një nga më të shtrenjtë në historinë e futbollit.  Sipas raportimit në fjalë, Liverpooli është i gatshëm të paguajë 180 milionë euro për të sjellë në “Anfield”, Alexander Isak, sulmuesin suedez që po shkëlqen me Newcastle.

Fillimisht, klubi i Premier League ka vendosur një shifër rreth 150 milionë euro për kartonin e suedezit, por duke parë interesin e shumë klubeve të mëdha, “Qymyrxhinjtë” tani kërkojnë 180 milionë euro. Në rast se realizohet vërtet ky transferim, do të ishte jo vetëm më i shtrenjti në historinë e Liverpoolit, por do të ishte dhe transferimi i dytë më i shtrenjtë në historinë e futbollit.

Vendi i parë mbahet nga Neymar që u transferua nga Barcelona te PSG për 222 milionë euro. Për suedezin pritet të ketë një garë të fortë mes klubeve të mëdha, të cilat kërkojnë me patjetër transferimin e tij. Por, deri tani klubi më i gatshëm për të paguar shifrën e kërkuar nga Newcastle është pikërisht Liverpooli.

sfidanti.al