Interi ndahet nga Ausilio pas 28 vitesh

Piero Ausilio dhe Interi janë pranë fundit të një historie 28-vjeçare. Drejtori sportiv i klubit zikaltër pritet të largohet nga “San Siro”, pasi kontrata e tij nuk do të rinovohet. Lajmi është bërë i ditur nga “Corriere dello Sport”, që raporton se mes palëve nuk është arritur marrëveshja për vazhdimin e bashkëpunimit.

Ausilio, i cili iu bashkua Interit në vitin 1998, ka kaluar në klub pothuajse të gjithë karrierën e tij si drejtues. Ai nisi si sekretar i sektorit të të rinjve, përpara se të ngjitej gradualisht në hierarkinë e klubit dhe të merrte përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha në fushën sportive.

Sipas raportimeve të fundit, drejtuesi kishte shprehur tashmë vullnetin për të mos rinovuar kontratën, ndërsa Interi nuk ka bërë hapa konkretë për ta bindur të ndryshojë qëndrim. Klubit i kishte ofruar vetëm një vit të ri kontrate, propozim që nuk ka mjaftuar për të shmangur ndarjen.

Madje, largimi mund të ndodhë edhe përpara përfundimit të kontratës. “Corriere dello Sport” nuk përjashton mundësinë që marrëdhënia mes Ausilios dhe Interit të mbyllet që në muajt e ardhshëm, ndonëse kontrata e tij është në fuqi deri në qershor të vitit 2027.

Ironikisht, Ausilio vjen nga një merkato e vlerësuar pozitivisht, në të cilën ai ishte protagonist për të 12-ën herë në karrierën e tij. Megjithatë, gjithçka duket se është vendosur dhe pas 28 vitesh, Interi po përgatitet t’i japë fund një prej bashkëpunimeve më të gjata në historinë moderne të klubit.