Duket interesante ideja që vjen nga Bullgaria për një ligë klubesh të Evropës Lindore, përfshi Ballkanin. Bullgarët thonë se kjo ide ka mbështetje dhe se bisedimet për këtë ligë, tanimë, kanë filluar, megjithëse asnjë federatë nuk i ka dhënë ndonjë mbështetje të hapur kësaj ideje. Bëhet fjalë për krijimin e një Mega Lige 1 dhe Lige 2, ku do të konkurronin klube nga Bullgaria, Maqedonia, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Sllovenia, Kroacia, Greqia, Shqipëria, Qipro, Izraeli, Azerbaixhani, Gjeorgjia dhe Armenia. Parashikohet që konkurrimi të fillojë gjatë sezonit 2019/20, por që kjo ide të realizohet, duhet pëlqimi i federatave përkatëse të futbollit dhe të UEFA-s e të FIFA-s.
Ky projekt ka si synim që të rritet interesimi për futbollin në këto hapësira dhe që të mbushën stadiumet, ndërkohë që përfitime financiare të mëdha do të kenë edhe vetë klubet që, kështu, do të mund të përparojnë dhe të arrijnë nivelet e klubeve të mëdhenj evropianë.
Sfidanti.al