Hoeness shpërthen ndaj agjentëve të Upamecanos

E ardhmja e Dayot Upamecanos te Bayern vijon të jetë një temë e nxehtë në Bundesliga. Mbrojtësit francez 27-vjeçar i përfundon kontrata në qershor dhe ende nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare për vazhdimësinë e tij në Mynih, ndërsa interesimi nga klube të mëdha si Real Madridi, PSG-ja dhe Liverpool-i mbetet konkret. Në kampin bavarez besohet se hezitimi i lojtarit nuk lidhet me klubin, por me ndikimin e rrethit të tij. Presidenti i nderit i Bayernit, Uli Hoeness, nuk i ka kursyer kritikat në një intervistë për “Kicker”, duke shprehur hapur irritimin e tij: “Do të doja shumë që Dayot të vendoste të qëndronte te Bayerni. Ai dhe familja e tij ndihen mjaft mirë në Mynih, por kam përshtypjen se agjentët po bëjnë gjithçka për ta bindur të largohet nga klubi.”

Hoeness shkoi edhe më tej, duke theksuar se situata e ka zhgënjyer thellë: “Ky qëndrim më ka tronditur. Për këtë arsye, kam paralajmëruar një takim të drejtpërdrejtë me vetë lojtarin,” u shpreh ai. Pavarësisht tensioneve, sinjalet nga negociatat janë pozitive. I transferuar nga Leipzig-u në vitin 2021, Upamecano është shndërruar në një pikë referimi për mbrojtjen bavareze. Bayerni i ka paraqitur një ofertë me rritje të ndjeshme page, ndërsa këtë sezon ai ka regjistruar 26 paraqitje në Bundesliga dhe 9 ndeshje pa pësuar gol, duke konfirmuar rolin e tij vendimtar në ekipin e drejtuar nga Vincent Kompany.

sfidanti.al