Gjimshiti rikthehet në stërvitje

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare Berat Gjimshiti është rikthyer në stërvitje me ekipin e Atalantës. Ekipi ka bërë të ditur se ai e ka kaluar dëmtimin në përballjen me Milanin dhe pritet të jetë sërish titullar me Leçen. Lëndimi në kyçin e këmbës së djathtë që pësoi Berat Gjimshiti në ndeshjen e Pashkëve ndaj Milanit është më pak serioz se sa u mendua fillimisht. Mbrojtësi shqiptar, i dëmtuar gjatë një përplasjeje me Rafael Leao në “San Siro”, është rikthyer këtë mëngjes në stërvitje në qendrën stërvitore të Zingonias. Ka shpresa të mëdha që ai të jetë gati për sfidën e së premtes mbrëma kundër Leçes në Bergamo. Nëse bashkohet me grupin edhe në seancën e pasdites së nesërme, Gjimshiti pritet të jetë nga minuta e parë në mbrojtje. Në përballjen e së premtes, Atalanta do të synojë të marrë fitoren e tretë radhazi për të ruajtur vendin e tretë në Serie A, si një garanci për t’u kualifikuar në sesionin e ardhshëm të Champions League. Aktualisht, Atalanta është 4 pikë larg Bolonjës së vendit të katërt dhe pesë nga Juventusi i vendit të pestë, por “Zonja e Vjetër” është me një ndeshje më pak.

sfidanti.al