Habiten që Mura mundi Totenhemin? Po kur Flamurtari rrahu Barcelonën?!

Padyshim kur humbin ekipet kryesore, aty ka edhe një nënvleftësim. Kështu ka ndodhur edhe kur ekipet shqiptare shkaktonin të papritura në Europë, siç bëri 17 Nëntori me Ajaksin, apo kur Partizani iu afrua eleminimit të Sëlltikut, Malmoes apo Austrisë së Vjenës. Në Angli, sot po habiten që Totenhemi i Antonio Kontes, duke pasur në fushë Harri Kejnin, u mund 1-2 në Slloveni nga Mura modeste. Pati kritika se lojtarët e stolit të londinezëve nuk janë në nivelin e duhur, dhe se të tillë si Dele Ali apo Ndombele nuk duhet të luajnë më asnjëherë për Spërsat. Gjithsesi, analistët në Angli harrojnë se futbolli e ka të papriturën pjesë të tij. Nëse yjet e Totenhemit nuk meritojnë të luajnë pas kësaj humbjeje, çfarë mund të thuhej për yjet e Barcelonës në 1986 e 1987 që u tronditën nga Flamurtari, me dy barazime e një humbje, dhe “mezi” fituan një ndeshje?

Sfidanti.al