U fol për Serinë A, për Francën, Turqinë apo Belgjikën. Asnjë nga këto nuk ndodhi dhe Xhakomo Vrioni do ta vazhdojë karrierën shumë larg në krahasim me deri tani. Sulmuesi i kombëtares shqiptare do të shkojë në Ligën Profesioniste Amerike, me ekipin Nju Inglënd Revolushën (New England Revolution) në metropolin e Bostonit. Juventusi vendosi t’ia shiste përfundimisht kartonin 23-vjeçarit për 4 milionë euro, një shifër e vogël në krahasim me 10 milionët që u përfolën këto kohë. Përse “Zonja e Vjetër” i uli kaq shumë pretendimet? Besohet se në një fazë transferimesh të paparashikueshme, italianët kishin urgjencë për të marrë 4 milionë menjëherë tani, sesa të prisnin dhe të rrezikonin për të mos marrë asgjë.
Vrioni mesa duket nuk ka qenë kurrë pjesë e planeve të trajnerit juventin, Maks Alegri, edhe pse fitoi Këpucën e Artë në Bundesligën austriake me 19 gola, duke lënë pas sulmuesin e Salcburgut, Karim Adejemi, që shkoi tek Dortmundi për 30 milionë euro. Fillimisht, për sulmuesin kuqezi pati interes nga ekipe në Serinë A, mes të cilave Sampdoria, po ashtu nga Franca, Belgjika apo Turqia, por ndoshta ishte fjala më shumë për huazime. Një problem në këtë transferim në SHBA është që distanca e madhe e bën më të vështirë dhe më të lodhshme që Vrioni t’u përgjigjet ftesave në kombëtare dhe të jetë në formën maksimale.
Sfidanti.al