Në kampionatin e Vietnamit ndodhi një ngjarje e çuditshme, kur portieri i një ekipi, në shenjë proteste, e la qëllimisht lojtarin kundërshtar që të shënonte nga pika e 11-metërshit. Kështu, Federata e Futbollit e Vietnamit e dënoi atë që të mos luajë dy vite. Portierët janë bërë hite gjatë kohëve të fundit, qëkur portieri rezervë i Satonit anglez, Uejn Shon, “la nam”, kur hëngri sanduiç në stolin e rezervave, ndërkohë që ekipi i tij po luante në një ndeshje të FA Kupës së Anglisë.
Në rastin konkret, në Vietnam, gjyqtari i një ndeshjeje të kampionatit të këtij vendi, në një moment, tregoi me gisht pikën e bardhë të penalltisë, duke dhënë dënimin më të ashpër, me të cilin nuk ishte aspak dakord portieri përkatës. Ky i fundit, në shenjë proteste, i ktheu kurrizin, ndërsa lojtari kundërshtar gjuajti penalltinë, duke mos u përpjekur qëllimisht që ta priste topin e gjuajtur. Në vazhdim të ndeshjes, portieri dhe bashkëlojtarët e tij vetëm se rrinin pa lëvizur në fushë, më shenjë proteste, ndërsa pësuan edhe dy gola të tjerë. Por një mënyrë e tillë sjelljeje nuk i pëlqeu Federatës së Futbollit të Vietnamit që e dënoi portierin në fjalë me dy vite pezullim.
sfidanti.al