Ousmane Dembele ka zbuluar këshillën e “ëndrrave” që i dha Lionel Messi, ndërsa ylli i PSG-së synon të fitojë një “Top të Artë”. Dembele, fitues i Kupës së Botës dhe Champions League, së shpejti mund të njihet si lojtari më i mirë në planet.
Paraqitjet e tij në sezonin 2024-2025 e bëjnë atë një kandidat serioz për të fituar “Topin e Artë”. Një sukses i tillë ndihej shumë larg kur kalonte probleme me formën dhe gjendjen fizike te Barcelona. Megjithatë, 28-vjeçari kishte këshilluesin e përsosur në “Camp Nou”. Dembele luajti me tetë herë fituesin e “Topit të Artë”, Messi-n, kur iu bashkua Barçës nga Borussia Dortmund në vitin 2017.
Dembele u përqendrua në marrjen e sa më shumë mësimeve të mundshme nga Messi, duke i treguar “FourFourTwo” për përvojat e tij në Katalonjë: “Kisha një marrëdhënie shumë të mirë me Messin që nga dita e parë. Dollapi im ishte ngjitur me të tijin dhe ai më dha shumë këshilla. Më tha se duhej të isha serioz nëse doja të realizoja ëndrrat e mia. Mësova edhe nga ajo që bënte në fushë. Pavarësisht nëse luante si numër 10 apo numër nëntë, pozicionimi i tij ishte i jashtëzakonshëm, mënyra se si dukej se e bënte veten të padukshëm në fushë. Ndonjëherë nuk duket se e sheh për rreth katër ose pesë minuta, pastaj sapo merr topin, ai instinktivisht e di se çfarë të bëjë.
Ai e kupton shumë mirë futbollin, pozicionohet shumë mirë në fushë dhe të gjithë e dimë çfarë mund të bëjë me këmbët e tij”. Francezi shtoi kur u pyet nëse një ditë do t’i tregonte vajzës së tij dyvjeçare se ka luajtur përkrah legjendës argjentinase: “Unë tashmë po ia them që tani asaj!”.
sfidanti.al