Interi po vazhdon të punojë si në hyrje ashtu edhe në dalje gjatë kësaj merkatoje verore. Teksa fokusi kryesor mbetet mbi Ademola Lookman, objektivi i parë për sulmin e trajnerit Chivu, drejtuesit zikaltër po vlerësojnë edhe lëvizje në mbrojtje. Largimi i Buchanan drejt Villarreal-it tashmë konsiderohet i sigurt dhe një vend bosh mund të hapet së shpejti edhe në repartin defensiv. Sipas La Gazzetta dello Sport, Crystal Palace është gati të ofrojë plot 32 milionë euro për të transferuar në Premier League mbrojtësin 24-vjeçar Yann Bisseck, i cili ka një klauzolë lirimi prej 120 milionë eurosh që skadon në fund të korrikut. Megjithatë, lojtari gjerman nuk duket i gatshëm të pranojë ofertën e klubit londinez, që sezonin e ardhshëm do të marrë pjesë në Conference League. Në zyrat e Interit preferojnë të sakrifikojnë më shumë Benjamin Pavard sesa ish-mbrojtësin e Aarhus, por oferta e Crystal Palace mund të ndryshojë planet. Në rast se Bisseck largohet, zikaltrit do të kërkojnë menjëherë një zëvendësues. Një nga emrat që pëlqehet prej kohësh është Koni De Winter, qendërmbrojtës belg 23-vjeçar i Genoas, i vlerësuar për aftësinë e tij për të luajtur në mbrojtje me tre. Genoa e vlerëson kartonin e tij rreth 25 milionë euro, kështu që nuk do të bëhej fjalë për një transferim të lirë.
sfidanti.al