Tre gola diferencë? Siti, ka nga ata që ia kanë dalë!

Mançester Siti duket se ka një detyrë thuajse të pamundur në çerekfinalet e Championsit, pas disfatës 0-3 në ndeshjen e parë në fushën e Liverpulit. Sidoqoftë, në të kaluarën, ka pasur disa raste kur skuadra të ndryshme ia kanë dalë në këto pozita.

Rekordin e mban Barcelona që (me ndihmën edhe të arbitrit) ktheu dizavantazhin 0-4 të ndeshjes së parë në fushën e Paris SG, duke u kualifikuar në sekondat e fundit me fitoren 6-1. Në vitin 2004, Deportivo La Korunja u mund 1-4 në fushën e Milanit, por ia doli të kualifikohej pasi fitoi 4-0 në Spanjë.

Më herët, në gjysmëfinalen e Kupës së Kampionëve në 1986, Barcelona u mund 0-3 në fushën e Goteborgut, ndërsa në “Kamp Nou” fitoi po 3-0, duke kaluar në finale pas gjuajtjes së penalltive. Një tjetër përmbysje e madhe ndodhi në 1985 në Kupën UEFA, kur Reali i Madridit u ndesh me Anderlehtin. Belgët fituan 3-0 në Bruksel, por spanjollët ia dolën 6-1 në “Bernabeu”.

Pra, Siti duhet të ketë besim, aq më tepër kur Liverpuli pati besim në finalen e Championsit në 2005, pasi kishte humbur 0-3 pjesën e parë ndaj Milanit, dhe ia doli ta çonte ndeshjen tek penalltitë dhe pastaj të fitonte.

Sfidanti.al