Të gjithë e kritikojnë, UEFA e shpërblen: Çakiri kandidat për finalen e Kievit!

Akoma nuk po qetësohen reagimet rreth momenteve të diskutueshëm të ndeshjeve gjysmëfinale të Champions-it,  ndërkohë që kanë filluar të tjera lidhur me parashikimet se cilit gjyqtar do t’ia ngarkojë UEFA gjykimin e ndeshjes finale të konkurrimit më të rëndësishëm evropian. Duket e pabesueshme, por arbitri turk, Xhunejt Çakir, i përfolur kaq shumë, është një nga kandidatët që të gjykojë duelin për titullin evropian mes Realit të Madridit dhe Liverpulit.

Megjithëse në adresë të tij ka patur kritika lidhur me arbitrimin e tij në ndeshjen mes Realit të Madridit dhe Bajernit të Mynihut, por edhe në ndeshjen mes Juventusit dhe Realit të Madridit, gjyqtari turk është midis atyre pak arbitrave që kryegjyqtari i UEFA-s, Kolina, ka zgjedhur që “të bëjnë drejtësi” në Kiev, si edhe në Lion në finalen e Ligës së Evropës.

Krahas Çakirit, janë zgjedhur, gjithashtu, Erikseni nga Suedia, Briku nga Gjermania, Kujpersi nga Holanda, Turpini nga Franca dhe Skomina nga Sllovenia. Sidoqoftë, nëse UEFA do të zgjedhë Çakirin, atëherë, do të jetë hera e parë që një gjyqtar do të gjykojë të njëjtin ekip edhe në çerekfinale, gjysmëfinale dhe në finale të Champions-it.

Sfidanti.al