Ishte portieri Sven Ulrihu ai që bëri atë gabim kardinal në fillim të pjesës së dytë të ndeshjes gjysmëfinale të kthimit në “Santiago Bernabe” mes Realit të Madridit dhe Bajernit të Mynihut, kur ai u pengua me këmbët e veta, duke e lënë Karim Benzeman që të shënonte një gol, me të vërtetë, të falur dhe duke u bërë, kështu, një nga shkaktarët kryesorë të eliminimit të klubit bavarez.
Në fakt, Ulrihu tregoi një formë mjaft të mirë gjatë të gjithë sezonit të Bundesligës dhe, me të vërtetë, e zëvendësoi denjësisht Manual Nojerin, por, në ndeshjen e lartpërmendur, ai me lëkundjen e dilemën e tij të gjatë e vuri ekipin e tij në një vështirësi të madhe, për më tepër, duke pësuar një gol mjaft qesharak që me siguri do ta ndjekë atë deri në fund të karrierës së tij. Ulrihu nuk la asnjeri indiferent, kur, në fund të ndeshjes, mbeti vetëm i ulur në barin e “Bernabeut”, ndërkohë që të gjithë bashkëlojtarët e tij kishin shkuar në dhomën e zhveshjes.
“Fjalët nuk mund ta përshkruajnë atë që ndjej unë brenda vetes, zhgënjimin mjaft të madh që ne u eliminuam nga Champions-i. Me të vërtetë, synimi ynë ishte arritja në finale dhe ne dhamë gjithçka nga vetja. Pastaj, erdhi ai gabimi i panevojshëm nga ana ime. Nuk mund ta shpjegoj atë që ndodhi. Realisht, më vjen shumë keq. Më vjen keq për ekipin dhe për tifozët tanë”, theksoi portieri i Bajernit, Sven Ulrih.
Sfidanti.al