Mos kanë luajtur mendsh ukrainasit?  Bileta për finalen e Kievit  15 000 sterlina!

Tifozët e Liverpulit nuk janë nxehur, por janë tërbuar, duke paralajmëruar se ata do ta bojkotojnë ndeshjen finale të Champions-it mes Realit të Madridit dhe Liverpulit që do të luhet, këtë të shtunë, më 26 maj, në Kiev, sepse çmimet e biletave kanë arritur deri në nivele të pabesueshme. “Të kuqtë” janë tërbuar se të dy ekipet finalistë kanë marrë vetëm nga 16 626 bileta, ndërkohë që numri më i madh i biletave do të shitet në tregun e zi me çmime të pazakontë. Gazeta “Dejli Meil” shkruan se bileta për një vend, diku në qoshe të stadiumit, çmimi real i së cilës është 281 sterlina, rishitet në tregun e zi me çmimin e pabesueshëm prej 15 000 sterlinash!

“Nëse në stadiumin ‘Olimpiski’ të Kievit, atë ditë, do të ketë vende bosh, atëherë, lë të shërbejë kjo gjë si një zgjim për UEFA-n, sepse vetëm zgjedhja e Kievit si vend zhvillimi për finalen e Champions-it është një debakël (fiasko) i vërtetë, pa folur për gjërat e tjera, biletat dhe hotelet me çmime stratosferike”, deklaroi Xhejms MekKen, zëdhënësi i grupit të tifozëve të Liverpulit. Në uebsajtin “Ticketbis” që merret me rishitjen e biletave, ofrohet bileta më e lirë me çmimin 1181 sterlina, megjthëse, çmimi real i shitjes së saj nga UEFA është 140 sterlina.

“Është me të vërtetë për të qeshur, sepse numrin më të madh të biletave do ta marrin ata që nuk janë tifozë me asnjërin prej dy finalistëve dhe, më pas, ata do t’i rishesin ato që të fitojnë shuma mjaft të mëdha për vete”, tha zëdhënësi i lartpërmendur i grupit të tifozëve të Liverpulit.

Sfidanti.al