Ish-Jugosllavia s’e harron Championsin, “trokasin” Zvezda e Dinamo!

Dikur luanin ndeshjen më domethënëse për shkatërrimin e shtetit ish-jugosllav. Kush nuk e mban mend duelin në “Maksimir”, Dinamo Zagreb-Crvena Zvezda, në 1991, me përleshje mes kroatëve dhe serbëve? Që nga ajo kohë, hapësirat ish-jugosllave kanë vuajtur jo pak për t’u konfirmuar si fuqi në futboll, aq më pak në Champions, por duket se “muzika do të ndryshojë”. Crvena Zvezda dhe Dinamo janë më pranë kualifikimit për në fazën e grupeve, pas ndeshjeve të para të plej ofit.

Beogradasit barazuan 2-2 në fushën e Jang Bojsit, rivalit të parvjetshëm të Skënderbeut në grupet e Ligës së Europës, ndërsa zagrebasit triumfuan 2-0 në fushën e tyre ndaj Rozenborgut të Norvegjisë. Millosh Degenek dhe Mateo Garsia ishin autorët e golave për Zvezdën në Bernë, duke përmbysur avantazhin e hershëm të zviceranëve, arritur me Rozher Asalenë. Në minutën e 76-të, Gijom Horo barazoi me penallti për Jang Bojsin që pati dy mundësi të shkëlqyera në fund, por nuk i shfrytëzoi. Dhjetëra mijë tifozë do ta mbështesin Zvezdën në kthim, në stadiumin “Rajko Mitiç”.

Dinamo e Zagrebit është edhe më pranë grupeve të Championsit, pasi Bruno Petkoviç me penallti dhe Mislav Orshiç shënuan “shpejt e shpejt” në “Maksimir”, ku ishin mbi 25 000 shikues. Në formacion për kroatëve, edhe kapiteni Arijan Ademi, madje shqiptari i Maqedonisë humbi rast për gol tjetër. Edhe pse me djem të rinj, “Blutë” treguan cilësi më të lartë se norvegjezët, që gjithashtu mbeten të rrezikshëm.

Sfidanti.al