Championsi, nga dueli anglo-italian në atë anglo-gjerman

Anglezët paska qenë e thënë të kenë duele të mëdha këtë sezon në Ligën e Kampionëve. Pasi Liverpuli dhe Totenhemi sfiduan me sukses Napolin dhe Interin në fazën e grupeve, ja ku kemi çiftet që vendosin përballë skuadrat nga ishulli me ato të Gjermanisë. Nuk janë pak, por plot tre përballje të mëdha, ku mund të ndodhë gjithçka.

Liverpul-Bajern, Shalke-Mançester Siti dhe Totenhem-Dortmund, ku ka ofertë më të mirë për t’u servirur se kjo? Liverpuli dhe Bajerni janë ndeshur disa herë më parë, në të kaluarën, dhe flasim vetëm për ndeshjet europiane. Në 1971, ishin katër ndeshje, në Kupën e Panaireve (ish-Kupa UEFA) dhe në Kupën e Kupave. Liverpuli fitoi duelin e parë, 3-0, 1-1, ndërsa Bajerni të dytin, 0-0, 3-1.

Në 1981 u ndeshën në gjysmëfinale të Kupës së Kampionëve, dhe anglezët kaluan me gol në fushë kundërshtare, 0-0 e 1-1. Në 2001, luajtën për Superkupën e Europës dhe Liverpuli fitoi 3-2. Këtë herë, të kuqtë duken sërish favoritë, por siç tha trajneri bavarez, Kovaç, “Bajerni është Bajerni”.

Më e thjeshtë duket Shalke-Mançester Siti, pasi dy skuadrat janë në “pole të kundërta”. Ekipi i Guardiolës ka më shumë talent, por është edhe më shumë skuadër, që di të mbrohet e të sulmojë mirë. Një nga pretendentët për Champions nuk besohet se do ta shpërdorojë mundësinë që po i jepet.

Po Totenhem-Dortmund? Pavarësisht forcës së Spërsave dhe vlerave të trajnerit Poçetino, Borusia duket favorite. Po flasim për një ekip vërtet të ri, por që po dominon Bundesligën (9 pikë para Bajernit), dhe që doli në vend të parë në një grup me Atletikon e Madridit në Champions. Harri Kejn me shokë do të kenë një provë tepër të vështirë.

Sfidanti.al