Humbja e Dortmundit në fushën e Augsburgut në Bundesligë ishte e hidhur jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Kritikat, natyrshëm, që nuk munguan dhe ja ajo e një eksperti si Matias Zamer, ish-kampion i Gjermanisë dhe ish-kampion i Europës me Borusian. Ish-ylli i kombëtares gjermane, sot analist tek Eurosporti, kritikoi mentalitetin e disa yjeve të skuadrës.
“Nuk është puna se skuadra nuk dëshiron të fitojë, por ndonjëherë nuk di si të fitojë, – tha ai, – disa lojtarë ishin të përkushtuar, ndërsa disa të tjerë nuk e dinin se ku ishin, nuk e dinin se çfarë duhej bërë për të fituar. Hakimi nuk e dinte, Sanço nuk e dinte”. Në fund të ndeshjes, Zameri vuri “gishtin në plagë”. “Dortmundi nuk ka përvojë, – tha ai, – ndeshjet nuk fitohen vetëm fizikisht dhe atletikisht, por sidomos me mendje”.
Trajneri i Dortmundit, Lysien Favre, pranoi fajet e tij dhe të lojtarëve të vet. “Ne bëmë gabime të panevojshme, dhe këtë e them pa ulur meritën e kundërshtarëve, gjithsesi, ne jemi ende në luftë për titullin”, – ishin fjalët e tij.
Sfidanti.al