Uli Hënesi flet për gjeneratën e re të Bajernit të Mynihut!

Ish-presidenti, që tani është ulur në kolltukun e nderit, është i lumtur me atë që po i shohin sytë, me punën e pasardhësve të tij, dhe për të ardhmen e klubit të Bavarisë. Uli Hënes, që po shkon dalë nga dalë drejt moshës 68 vjeç, mendon se Bajerni mund të hapë një epokë të re. “Ne kemi lojtarë të rinj që mund të përmirësohen, si Gnabri, Dejvis, Pavar, Kimih, – thotë ai, – kemi lojtarë të sprovuar si Levandovski, Myler, Tiago Alkantara apo Alaba. Mendoj se një epokë e re tek Bajerni i Mynihut sapo fillon”.

Hënesi ka besim se klubi do të arrijë ta marrë Leroi Sanenë nga Mançester Siti, duke e quajtur përforcim të rëndësishëm, por nuk mendon kështu për Kai Havercin. “Nga ana sportive dua që Haverci të luajë për Bajernin, – tha ish-presidenti, – por, nga ana financiare e shoh të vështirë. Ndoshta, kjo mund të ndodhë në 2021, por vetëm nëse mbetet tek Leverkuseni, dhe sërish do të duhet shpenzim i madh”. Hënese lavdëron pasardhësin e tij Hainer dhe anëtarin e ri të bordit, Kahn, ndërsa e quan të goditur dhënien e kontratës deri në 2023 për trajnerin Flik.

Sfidanti.al