Për kurnacëri nuk ua kalon kush, edhe pse ka ndodhur që kanë shpenzuar edhe 80 milionë për kartonin e një mbrojtësi, siç bënë për Lykas Hernandezin. Bajerni i Mynihut po e tregon këtë verë se e bën biznesin ndryshe nga shumë klube të tjerë, pasi nuk po lëviz as “gishtin e vogël” për të përforcuar skuadrën. Nga kampionët e Europës janë larguar Tiago Alkantara, Perishiç, Kutinjo apo Kuisans, ndërsa përforcimi i vetëm deri tani është Leroi Sane, edhe ai tashmë i dëmtuar.
Synimi është Andrej Kramariç, sulmuesi kroat i Hofenhajmit, por klubi tjetër i Bundesligës kërkon rreth 40-45 milionë për kartonin e tij, dhe bavarezët nuk janë gati t’i paguajnë. Po ashtu, ata nuk bënë asnjë përpjekje për Timo Vernerin apo Kai Havercin që shkuan tek Çelsi. “Kjo ndodh sepse ne nuk i kemi mundësitë financiare, – thonë krerët e klubeve, – kriza e koronavirusit na shkaktoi 100 milionë euro humbje. Ndoshta, ka klube që kanë rezerva nga jashtë, por ne punojmë vetëm me biznesin tonë”.
Sfidanti.al