Është 21 vjeç dhe quhet talenti i radhës. Shani Tarashaj është një tjetër shqiptar i futbollit që do të bëjë të lumtur Zvicrën. Për momentin, djaloshi me origjinë nga Prizreni, po lumturon Ajntrahtin e Frankfurtit dhe tifozët e tij. i ardhur këtë verë nga Grasshopersi, shqiptaro-zvicerani nuk vonoi shumë të tregonte vlerat.
Mënyra sesi lëviz në fushë, sesi përdor topin dhe kombinon me shokët e skuadrës flet vetë. Iu desh vetëm ndeshja e tretë për të shënuar golin e parë në Bundesligë, rrjetë që besohet se do të pasohet nga shumë të tjerë. Sulmuesi me numrin 30 ishte padyshim një nga më të mirët në fushë në fitoren e thellë të Frankfurtit në fushën e Hamburgut, me shifrat 3-0.
Tarashajn e pret një ardhme në Premier Ligën angleze, por Evertoni që ia bleu kartonin prej muajsh, fillimisht e huazoi në Gjermani. Shqipëria deshi që ky talent të vishte fanelën kuqezi. Po ashtu shpresoi edhe Kosova, aq më tepër që Tarashaj e ka origjinën prej saj. Gjithsesi, ai vendosi të ndiqte rrugën e Shaqirit, Xhakës apo Behramit në përfaqësuesen e Zvicrës.
B. Kuka