Rumenige i ri: Bajerni e merr lirë Sanenë, por duhet Verneri!

Ai është vëllai më i vogël i shefit ekzekutiv të bavarezëve, dhe ka luajtur jo pak, por 8 sezone me fanelën e skuadrës së Mynihut. Mikael Rumenige është sot 56 vjeç, shumë më i vogël se Karl-Hajnci (64), ndërsa jep gjykimin e tij për politikat e transferimeve të Bajernit. “Mendoj se mund ta marrin shumë më lirë Leroi Sanenë sesa do ta merrnin vjet, – shprehet ai, – vjet, kartoni i tij shkonte në 100-120 milionë euro, por tani është ndryshe. Sane pati dëmtim të gjatë, po ashtu kontrata e tij përfundon në 2021 dhe Siti mund të përfitojë diçka vetëm tani. Nuk do të shkonte më shumë se 30-50 milionë euro”.

Gjithsesi, Mikael Rumenige ka vlerësim të lartë edhe për Timo Vernerin. “Ai është shumë i fortë, është përmirësuar ndjeshëm dhe do të krijonte një dyshe sulmi shumë të mirë me Levandovskin, – thotë ai, – madje, Verner është i ri dhe do të luajë shumë gjatë. Sane është më i fortë teknikisht dhe kombinon më mirë, por Verner është një siguri për golat”.

Sfidanti.al