Një fanelë për historinë, Bajerni kujton titullin e parë!

Ishte një vit përpara ardhjes së Hitlerit në pushtet, dhe pikërisht skuadra e qytetit ku jetonte diktatori i ardhshëm, fitoi titullin e parë. Bajerni i Mynihut u bë kampion i Gjermanisë në 1932, një sukses i rëndësishëm historik, e për këtë arsye, klubi bavarez dhe kompania Adidas dizenjuan fanelat e veçanta për 120-vjetorin e themelimit. Ky 120-vjetor festohet pikërisht sot dhe skuadra do t’i veshë fanelat speciale në ndeshjen ndaj Augsburgut në 8 mars.

Bluza është e bardhë, por me jakën në ngjyrë vishnje, dhe të njëjtën ngjyrë kanë edhe mëngët e shkurtëra. Adidasi ka shkruajtur edhe “120 jahre” (120 vjet) në pjesën e brendshme të jakës. Këto fanela do të vishen vetëm një herë, pra ndaj Augsburgut, dhe me gjasë do të jenë pjesë e muzeumit të klubit. Bajerni, në 120 vjet, ka fituar 29 tituj kampion në Gjermani (një rekord), 19 Kupa të Gjermanisë (rekord), 7 Superkupa të Gjermanisë (rekord), 6 Kupa të Ligës (rekord), 5 Champions, 1 Kupë UEFA, 1 Kupë të Kupave, një Superkupë të Europës, 2 Kupa Interkontinentale për klubet dhe 1 Kupë të Botës për klubet, gjithsej 72 trofe.

Sfidanti.al