Nuk fitoi Jup Hajnkesi, por sërish çmimin e mori një trajner i Bajernit. Gazeta më e shitur në Gjermani, “Bildi”, ndau vlerësimet e sezonit 2017-2018, dhe tekniku më i mirë doli Niko Kovaç. Kroati u vlerësua më shumë me mrekullinë që realizoi tek Frankfurti duke fituar Kupën (ndaj Bajernit në finale), dhe duke luftuar për kualifikim për në Champions. Më pas, në stolin bavarez, fitoi Superkupën pikërisht ndaj Frankfurtit.
Një vlerësim i madh edhe për një veteran të shquar, Oto Rehagelin. “Herr Oto” mori çmimin e karrierës, për atë që bëri gjatë jetës sportive si trajner, duke fituar shumë me Verderin, Bajernit apo kombëtaren e Greqisë.
Ylli i vitit doli një teniste, Anzhelikë Kerber, që fitoi turneun më të madh të botës, Grand Slemin e Uimbëlldonit, ndaj Serena Uilliamsit në finale. “Rikthimin e vitit” e bëri Gesa Krauze, kampionia e Europës në 3 000 metra me pengesa në atletikë, ndërsa mrekullinë e sezonit e realizoi kombëtarja e Gjermanisë në hokej në akull, që doli në finalen e Lojërave Olimpike, duke humbur ndaj stërfavorites, Rusisë.
Sfidanti.al