Nga Shalke tek Bajerni, portieri Nybel krijon “furtunë” në Gjermani!

Lotar Mateus, dikush që merr vesh “sado pak” nga futbolli, e pati kritikën në majë të gjuhës. Rekordmeni i ndeshjeve në kombëtare nuk ngurroi ta sulmonte portierin Aleksandër Nybel që braktisi Shalken për të shkuar në verë tek Bajerni. Flitet për një profesionist tepër të ri në këtë rol, vetëm 23 vjeç, për një titullar tek Shalke, dhe për më tepër për kapitenin, i cili braktis skuadrën në momentin që ajo ka nevojë për të.

Mateus thotë se Nybel ka bërë gabim të madh, sepse tek Bajerni nuk do të ketë siguri për të luajtur, përsa kohë aty do të jetë Manuel Nojer. Vetëm nëse ky i fundit pëson dëmtime, apo shfaq ambicie për të luajtur jashtë Gjermanisë (PSG?), Nybel do të kishte shanse. Mateus kritikon edhe kohën në të cilën ai vendosi ta bëntë lëvizjen, tani në dimër. “Me gjasë, ai nuk do të luajë tek Shalke, sepse trajneri Vagner nuk ka luajtur mendsh që të lejojë në çdo ndeshje që tifozët t’i vërshëllejnë kapitenin, – u shpreh kampioni i botës i vitit 1990, – nëse do të kishte shkuar tek Barcelona, Reali apo në Mançester, do të kishte qenë ndryshe, por jo tek “Banka” e Bajernit”.

Sfidanti.al