Nga rroga te kartoni, pse u çmend kështu Bajerni për Sanenë?!

Afati dihet dhe nuk e vendos dot një klub i vetëm. Bajerni i Mynihut duhet të marrë Leroi Sanenë deri në enjten, datë 8 gusht, përpara fillimit të Premier Ligës, ndaj edhe bavarezët duket se po bëjnë vrapimin final. Mediat britanike njoftojnë se klubi gjerman ka arritur një akord me sulmuesin e Gjermanisë mbi bazën e një rroge vërtet të jashtëzakonshme, prej mbi 18 milionë eurosh në vit.

Nuk do të jetë e lehtë, gjithsesi, që të bindet Mançester Siti, ndaj bavarezët mund të jenë të detyruar të shpenzojnë shumë. Vlerësimi i Sitit për kartonin e Sanesë arrin në mbi 150 milionë euro, apo rreth 135 milionë paundë stërlina, ndonëse kjo shumë ndoshta mund të negociohet, kur Uli Hënes, Karl-Hajnc Rumenige e Hasan Salihamixhiç të kryejnë bisedimet përfundimtare me drejtuesit e klubit anglez.

Sane është 23 vjeç, dhe tepër i talentuar, ndonëse nuk e ka aspak të sigurt vendin në formacion tek Siti, ku konkurron me Bernardo Silvën apo Rahim Stërlingun. Tek Bajerni, do të ketë shumë më tepër mundësi për të luajtur, aq më tepër që bavarezët kanë probleme me sulmin, siç e tregoi edhe humbja e pësuar në Superkupën e Gjermanisë ndaj Dortmundit.

Sfidanti.al